Studentët, përfaqësim në bordet e administrimit të universiteteve

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Studentët do të kenë përfaqësuesin e tyre në bordet e administrimit të universiteteve, i cili do të zgjidhet nga qeveria mes 3 kandidatëve të paraqitur prej tyre.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me studentë, ndërsa i ftoi këta të fundit të marrin pjesë në përzgjedhjen e 3 kandidaturave.

“Ne kemi kërkuar 3 kandidatura nga studentët për t’i dhënë mundësi atyre të kenë një përfaqësues të tyre në këto borde, por që patjetër do të zgjedhë qeveria mes tre kandidaturave”, – tha Rama.

Ai theksoi se “bordi i administrimit është garanti i gjithë aktivitetit financiar të universitetit, ku qeveria është financuesja kryesore, ndaj dhe duhet të jetë edhe kontrolluesja e mënyrës se si shpenzohen paratë në universitete”.

Ndërkohë, sipas tij, “me portalin e transparencës bëhet e mundur që çdokush që është i  interesuar të dijë ekzaktësisht se sa dhe si shpenzohen fondet në fakultetin e tij”.

“Janë ndryshime që të gjitha më vete nuk janë kolosale, por së bashku janë baza e një transformimi kolosal. Bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem të tërë dhe sistemet nuk ndërtohen brenda viteve të jetës studentore të një studenti. Është e pamundur. Sistemet akademike të botës së zhvilluar janë produkt i qindra viteve”, – tha Rama.

Ai theksoi se, protesta e studentëve ishte një shtysë shumë e rëndësishme dhe krijoi një sinergji mes qeverisë dhe studentëve në këtë proces historik transformimi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.