Specializimet në mjekësi, asnjë ankesë për korrupsion

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “korrupsioni në specializimet në mjekësi është zero, pasi është ndërtuar një sistem që funksionon mbi bazën e objektivitetit”.

Gjatë prezantimit të Sondazhit Kombëtar të Studentëve, Rama theksoi se ky sondazh do të nxjerrë të vërtetat lidhur edhe me perceptimet e studentëve për korrupsionin.

Duke u ndalur te specializimet e mjekësisë, Rama garantoi se korrupsioni është zero, pasi  që kur kemi rihapur procesin, kemi ndërtuar një sistem ku nuk kemi asnjë ankesë për korrupsion.

“Para se të mbylleshin, specializimet në mjekësi ishin vatër korrupsioni”, – tha Rama, ndërsa theksoi po ashtu se falë sistemit të ndërtuar nga qeveria korrupsioni është zero edhe në pranimet në universitete.

Sa i takon nivelit të korrupsionit në universitetet e tjera, Rama shprehu bindjen se perceptimi do të jetë i ndryshëm në fakultete të ndryshme, por pas këtyre rezultateve ne do të hyjmë në analiza më të thella. “Kjo do të vendosë para përgjegjësisë publike këdo që jep mësim dhe drejton fakultetet”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.