Sondazhi Kombëtar i Studentëve, përballje me të vërtetat në universitete

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Sondazhi Kombëtar i Studentëve 2019 mbi cilësinë e mësimdhënies është një instrument për t’u përballur me të vërtetat në universitete.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e këtij sondazhi ndërsa foli për rezultatet që pritet të dalin nga ky proces.

“Rama tha se bëhet fjalë për një volum kolosal të dhënash dhe opinionesh q[ do t[ mblidhen nga ky sondazh. Nga opinionet e 110 mijë individëve, për pyetje që janë vendosur aty në mënyrë shkencore, do të merret maksimumi i perceptimit dhe të gjitha rezultatet do të jenë publike. Aty të gjithë do të ballafaqohen me opinionin studentor: trupa pedagogjike, drejtuesit, sekretaritë e famshme dhe ne si politikëbërës”, – tha Rama.

Pas publikimit të rezultateve të këtij sondazhi, sipas tij, do të jetë shumë e vështirë për t’u fshehur nga disa të vërteta, ndërsa krijohet mundësia për gjithë shoqërinë universitare që të flasë.

Rama ftoi studentët për një pjesëmarrje sa më të gjerë në këtë sondazh, pasi sipas tij, “sa më shumë të dhëna të mblidhen, aq më shumë i afrohemi të vërtetës lidhur me nivelin e perceptimit të studentëve në të gjitha drejtimet”.

“Sondazhi nuk është se do të na zbulojë gjëra që se kemi idenë, por do të na japë një sens të qartë të situatës së brendshme të çdo komuniteti studentor në çdo fakultet, në raport me të gjitha aspektet”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.