Shkodër/ Punësim dhe shërbime sociale, familjeve të kthyera nga emigrimi

TIRANË, 19 prill/ATSH/- Bashkia e Shkodrës prezantoi sot projektin “Përmirësimi i aksesit dhe riintegrimi i fëmijëve, të rinjve dhe familjeve të kthyera nga migrimi, në edukim, punësim dhe shërbime sociale” (IRMA).

Ky projekt do të zbatohet nga bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me “Terre des homes” dhe me fondet e GIZ.

Në hapje, takimi është përshëndetur nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, nga Drejtorja Kombëtare e “Terres des Hommes” Alketa Lasku dhe Koordinatori Kombëtar i Migracionit për Zhvillim i GIZ, Florenc Qosja.

Pas prezantimit të projektit, ku u shpjegua modeli i ndërhyrjes dhe fusha e shërbimeve, target-grupet e synuara, u kalua në punë në grupe, ku u diskutua për menaxhimin e rastit, shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve dhe riintegrimin e migrantëve të kthyer; shërbimet për fuqizimin e familjes dhe komunitetit; shërbimet e edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve dhe të rinjve; zhvillimi i kapaciteteve dhe hartimin e instrumenteve.

Nga ky projekt parashikohet të jenë përfitues 2500 fëmijë, të rinj dhe familje në risk migrimi të pasigurte, 2500 fëmijë, të rinj dhe familje të rikthyera nga migrimi si dhe 300 aktorë lokalë e kombëtarë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.