Rilindja urbane në Lushnjë, investime në infrastrukturën urbane dhe rurale

TIRANE, 19 prill/ATSH/- Nga një shteg rrënimi plot gropa, baltë e pluhur dhe ndërtime të paligjshme, hyrja në bashkinë e Lushnjës është transformuar në një segment sipas standardeve europiane.

Në Lushnjë, zbatimi i një sërë investimesh në kuadër të Rilindjes Urbane, me rivitalizimin e sheshit qendror, ambienteve sportive, restaurimin e shkollave dhe poliklinikave e kanë shndërruar këtë qytet, me një fizionomi të re që ka zgjeruar hapësirat publike në shërbim të komunitetit dhe me impakt në zhvillimin e biznesit në këto zona.

Në 5 vitet e fundit janë investuar nga qeveria shqiptare në këtë bashki mbi 12 milionë dollarë.

Në bashkinë Lushnjë është investuar në infrastrukturë urbane dhe rurale, kopshte, çerdhe, blloqe pallatesh, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Ndërsa investimet nga qeveria janë investime madhore dhe nuk mund të lë pa përmendur këtu rrugën hyrëse nga Tirana, lagjen “Xhevdet Nepravishta”, lagjen “18 Tetori”, rrugën Plasmas-Karbunarë, Unaza Bujqësore që i vjen në ndihmë ekonomisë rurale prej 11 km.

Në drejtim të pastrimit të kanaleve, janë rehabilituar 260 km kanale ujitëse nga 360 në total, 400 km kanal kulluese nga 560 km që janë në total. Pastrimi i kanaleve kulluese ka shtuar prodhimin e fermerëve dhe këtë e tregon hapja e 25 pikave të grumbullimit që ndodhen sot në bashkinë Lushnjë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.