Pakti për Universitetin, Rama: Zotimet kryesore janë realitet

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ne sot jemi në fazën kur po vendosim disa piketa që Europa i ka vendosur kohë më parë, por ne e kemi nisur këtë rrugë nga një situatë xhungle në universitete”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në prezantimin e Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2019 mbi cilësinë e mësimdhënies, në kuadër të Paktit për Universitetin.

Rama vlerësoi se, “sondazhi është i rëndësishëm për njëmijë e një arsye, por mbi të gjitha shërben si mekanizëm i ri i marrjes së gjithë opinioneve të studentëve dhe i leximit të këtyre opinioneve mbi bazë shkencore”.

Kjo, tha Rama, na jep mundësi të kuptojmë më shumë dhe të mund të adresojmë në mënyrë më efektive shqetësimet e gjithë komunitetit.

“Ky është një proces shumë i rëndësishëm që ka nisur me protestat e studentëve në fund të vitit të shkuar dhe ka vijuar si një ndërveprim konstruktiv për të kanalizuar përmes një sërë mekanizmash të rinj. Një proces që synon jo vetëm të adresojë ato shqetësime që  nxori në pah protesta e studentëve, por edhe të shkojë më tej”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot jemi në kushtet kur një sërë aspektesh të Paktit për Universitetin janë plotësuar dhe disa zotime të tjera po adresohen.

“Faktikisht kemi bërë realitet disa zotime kryesore dhe po bëjmë realitet disa zotime të tjera. E them me kënaqësi se angazhimet e marra në dokumentin e Paktit për Universitetin janë angazhime që po ndiqen me seriozitet dhe me këmbëngulje nga Ministrja e Arsimit dhe gjithë qeveria”, – tha Rama.

Ai theksoi se, “po vendoset një bazë e re në jetën e brendshme të universitetit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe universitetit”.

“Ne erdhëm nga një situatë ku bota universitare shqiptare ishte krejtësisht jashtë kontrollit me një tërësi problematikash shumë të rënda dhe me një numër skandaloz universitetesh të licencuara pa asnjë kriter dhe që thithnin para pa fund nga investimet e prindërve dhe jepnin mbrapsht diploma pa asnjë vlerë. Kemi vendosur disa rregulla të reja dhe jeta universitare sot po funksionon dhe po na jep mundësinë t’i adresojmë të gjitha këto aspekte. Ashtu sikundër, ndërveprimi me studentët po funksionon dhe po na jep mundësinë t’i bëmë gjërat me shumë shpejtësi dhe pa humbur kohë”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.