Ngjarja e Rinasit – Koncesionari nuk garantoi sigurinë, policia veproi korrekt

TIRANË, 19 prill/ATSH/ – “Unë kam notën maksimale për Policinë e Shtetit në këtë rast. Çfarëdo sulmi mund të kërkohet në këtë rast, duhet kërkuar diku tjetër, por jo tek policia, ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme”, – u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj për rastin e grabitjes së ndodhur në aeroportin e Rinasit.

I ftuar në emisionin “Repolitix”, Lleshaj u shpreh se ngjarja shumë shpejt do të zbardhet edhe falë provave të akumuluara nga Policia e Shtetit në vendngjarje.

“Kam thënë që banda ka marrë një goditje shkatërruese, sepse njëri nga anëtarët e saj ka mbetur i vrarë. Është një supozim i madh që ministri i fut hundët në dosje. E para, nuk më lejohet, e dyta, nuk jam i interesuar, sepse nuk më intereson në nivelin edhe personal. Kureshtja ime orientohet në drejtime të tjera. Nuk mund të them se kush e ka vrarë Admir Murataj, kjo është një çështje që do të dalë nga hetimet. Nuk ka arsye që shefin e bandës ta vrasin shokët në aksion e sipër. Vrasja e tij është ende e panjohur për sa kohë nuk është mbyllur hetimi. Kureshtja e madhe në këtë drejtim, i mirëkuptoj gazetarët, por kam parë një diskutim malinj në ditët e para që u munduan të rrëmojnë se kush nga policët e ka bërë këtë. Unë jam besimplotë që ngjarja do të zbardhet, dhe më pas arrestimi i tyre. Niveli i provave të grumbulluara dhe që e bën hetimin të suksesshëm. Bëhet fjalë për 5 persona dhe nuk përjashtohet bashkëpunimi me persona të tjerë”, – u shpreh Lleshaj.

Sipas ministrit Lleshaj koncesionari kinez në aeroportin e Rinasit ka dështuar që të garantojë sigurinë në perimetrin e aeroportit.

“Koncesionari ka pasur përgjegjësi të deleguar nga një ligj i yni dhe ka pasur përgjegjësi të shkruar, që është përgjegjës në zonën e koncesionit. Është përgjegjës për të gjitha portat e hyrjes. Fakti që koncesionari dështon keqaz, fakti që porta hapet pas asnjë rezistencë dhe nuk njoftohen, që t’i thuhet policisë se kjo që ndodhi është tregues i dështimit. Jemi njoftuar 5 minuta pas grabitjes dhe njoftimi ka ardhur nga një palë e tretë, që ka qenë një nga kompanitë e transportit të parave. Policinë e linte jashtë dhe nuk e linte që të futej brenda, ata në momentin që kanë marrë njoftimin kanë tentuar të hyjnë. Fakti që as nuk ofron garanci apo siguri fizike dhe as që nuk njofton është i papranueshëm, dhe është paralajmëruar disa herë nga Aviacioni Civil”, – vijoi ai.

I pyetur për prezencën e Policisë Ushtarake në aeroportin e Rinasit pas ngjarjes, ministri Lleshaj theksoi se ata ndodhen me të drejtë aty, pasi një pjesë e aeroportit është edhe pjesë e tyre. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.