Mjedis i pastër në mbështetje të turizmit, 53 nisma në 1 muaj

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Shqipëria si destinacion turistik gjithëvjetor dhe europian dhe një vend ambientalist është në fokus të institucioneve përkatëse por gjithashtu po promovohet dhe nga mediet e huaja.

Gjatë 1 muaji në këtë kuadër Ministria e Turizmit ka realizuar 53 aktivitete, të renditura në një kalendar konkret, me pamje, të dhëna dhe data. Janë aktivitete që i dedikohen mjedisit shqiptar, për një Shqipëri më të pastër dhe me qëllimin për të rritur edhe më shumë nivelin e turizmit në vend.

Gjatë këtij muaji janë realizuar aktivitete në promovim të turizmit dhe të mirëmbajtjes së mjedisit si, Ditët e Pemëve me mbjellje masive nga nxënës të shkollave në të gjithë Shqipërinë. Në Maliq janë shtuar 800 mijë pemë, gështenjë dhe arrë.

Gjithashtu është realizuar dhe mbledhja e taskforcës mbi masat e një sezoni të ri turistik sa më të pastër dhe të sigurt. Është mbyllur aktiviteti i 12 guroreve në Malin e Krujës, për paligjshmëri dhe moslejimin e industrisë në Zonat e Mbrojtura.

Panairi i Berlinit, ishte një ngjarje tjetër e promovimit të oferta turistike dhe potencialeve për turizëm gjithëvjetor në Shqipëri.

Fushata virtuale ”Rrëmbehu nga Shqipëria” ishte një tjetër nismë mjaft pozitive për tu treguar turistëve të huaj se Shqipëria është një destinacion unik me vlera të mëdha si mikpritja, kulinaria dhe me bukuri natyrore. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.