Brenda vitit zyra “One Stop Shop” në 61 bashkitë e vendit

TIRANË, 19 prill/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Deri në fund të këtij viti 61 bashki të vendit do të ofrojnë 76 shërbime për qytetarët përmes zyrave “One Stop Shop”.

Kjo do të thotë se shumë dokumente dhe shërbime si certifikata të ndryshme, regjistrime të fëmijëve në çerdhe apo kopshte, shërbimet për ndihmë ekonomike, vërtetime për taksat etj., qytetarët do t’i marrin duke aplikuar online përmes një sporteli të vetëm, pa u sorollatur zyrë më zyrë.

“Brenda fundit të këtij viti do të 61 bashkitë në vend do të kenë zyra shërbimi “One Stop Shop””, – tha zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë një interviste televizive, ku është shprehur se ky shërbim kursen kohë dhe lufton abuzimet.

“Deri tani kemi 13 zyra funksionale “One Stop Shop”, në disa bashki të vendit. Janë 17 zyra të tjera që janë gati për të nisur punën dhe në fund do të kemi 61 bashki në fund të vitit që do të ofrojnë këtë shërbim”, – tha Kuko.

Ajo bëri të ditur se ky projekt është kërkesë e lidershipit të qeverisë shqiptare si nevojë për ti ofruar qytetarëve në kohë shërbime sa më të mira.

“Së pari, ky është një projekt i kërkuar nga lidershipi i qeverisë shqiptare pas Reformës Administrative Territoriale, që solli bashki të mëdha dhe përgjegjësi më të mëdha. Qytetarët, – tha Kuko, – sot në 13 zyra kanë mundësi të marrin shërbimin vetëm në një sportel. Ajo që ndodh është se shkojmë në një zyrë, më pas na thonë të shkojmë në një zyrë tjetër, duke ndjekur një kalvar të madh hapash dhe që na shpenzon shumë kohë. Por sot, ky nuk është më problem në 13 bashki, ku ofrohet “One Stop Shop””, – tha Kuko.

Ajo shtoi se kjo formë shërbimi i vjen në ndihmë edhe personave me aftësi ndryshe. “Kjo formë shërbimi krijon akses më të lehtë edhe me personat me aftësi ndryshe. Duke qenë se bashkitë kanë nisur të plotësojnë dhe kriteret e aksesueshmërisë për këtë grup personash, ky shërbim lehtëson shumë dhe i vjen në ndihmë edhe komunitetit të personave me aftësi ndryshe”, – vijoi Kuko.

Ajo tregoi dhe eksperiencën pozitive të hasur në bashkinë e Belshit. “Në bashkinë Belsh kemi hapur një zyrë “One Stop Shop”. Kjo zyrë tashmë i mundëson qytetarëve të Belshit të mos vrapojnë drejt Elbasanit për të marrë shërbime, por i mjafton vetëm të drejtohen drejt zyrës së shërbimeve të Bashkisë”, – tha Kuko.

“Është sistem shumë i thjeshtë. Kemi një database të vetëm, qytetari plotëson formularin dhe në të saktëson shërbimin që kërkon të marrë. Merr një numër unik dhe më pas pret përgjigje. Përgjigja zgjat nga disa orë, në pak ditë, në varësi të shërbimit”, – tha zv/ministrja.

“Një element shumë i rëndësishëm është fakti se lufton korrupsionin apo abuzimet, pasi nuk do të kenë më nevojë qytetarët të takojnë kryetarin e bashkisë, të gjejnë një mik… etj., – nënvizoi Kuko. – Tarifat janë fikse, të përcaktuara dhe shumë prej shërbimeve janë falas”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.