Kthimi i ligjit për vetingun në Polici nga Presidenti – Lleshaj: Argumente jo ligjorë

TIRANË, 19 prill/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cilësoi argumentet e kthimit të ligjit për vetingun në Polici, si argumente presidenciale shumë interesante, por jo ligjore.

Në një intervistë televizive, ministri Lleshaj theksoi se “po të shohësh argumentet, duket se shqetësimi kryesor është qeveria, ndërkohë që qeveria është struktura, institucioni dhe autoriteti përgjegjës për ta realizuar vetingun”.

“Në thelb vetingu në strukturat të Policisë së Shtetit është pjesë e natyrshme e funksionit të një strukture qeverie. Veting do të duhej të kishte çdo organizëm i gjallë, në çdo institucion duhej të kishte veting. Është një proces i përhershëm. Ku ka një strukturë, një organizatë ajo ka nevojë që të vetëpastrohet, të mbrohet nga infiltrimet, ndikimet, nga inkriminimi, etj. Prandaj kjo strukturë duhet mbajtur gjallë. Ligji i bërë tani për verifikimin e përkohshëm të pastërtisë së figurës është në frymën e gjithë procesit që po ndodh në sistemin e drejtësisë dhe është një hap i duhur, pasi nëse e supozojmë duhet të pastrojmë gjyqësorin duhet edhe që instrumenti kryesor që e ndihmon gjyqësorin për vendosjen e ligjit në vend është policia”, – nënvizoi Lleshaj.

Në këtë kuptim, vijoi ministri, është gjithçka në rregull, por argumente për ta larguar vetingun nga qeveria janë të pabaza, të panevojshme, sepse e gjithë Policia e Shtetit është në varësi të qeverisë.

Lleshaj tha se “nuk është hequr struktura e jashtme e vetingut. Ajo merret nga fillimi në fund të procesit, sepse ligji kështu e parashikon. Fillimisht ngrihet një komisioni i jashtëm që bën vetingun e majës së Policisë së Shtetit, Gardës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ky komision zgjerohet, një pjesë e atyre që kalojnë vetingun i bashkohet kësaj strukture krijojnë një trup më të madh që quhet Komision Qendror që bën vetingun e nivelit të mesëm. Pjesa e parë e jashtme, plus pjesën që u shtohet, i shtohet edhe një kontigjent nga ata që vetohen dhe bën vetingun e gjithë strukturës”.

“Pra faza 1 është Komisioni i jashtëm, në fazën e dytë shtohen përfaqësues nga Policia dhe Garda dhe SHÇBA që kaluan vetingun nga Komisioni i jashtëm. Ndërsa në fazën e tretë shtohen mbi 200 veta dhe në çdo proces, Komisioni i jashtëm është pjesë e strukturës”.
“Janë argumente të gjetura, sepse nuk ka ndryshuar asgjë në thelbin e vetingut”, – tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “janë argumente të gjetura, sepse nuk ka ndryshuar asgjë në thelbin e vetingut”.

“Ne kemi dyshime që mund të kemi probleme në Policinë e Shtetit, por jo kriminelë. Ftoj këdo ta mendojë qoftë edhe një moment pa policinë Shqipërinë”, shtoi ministri.

Ministri tha se nuk e priste këtë vendim të Presidentit Meta.

“Ligji aktual e mbyll vlefshmërinë e tij në mars 2020 sot jemi në prill 2019 ende s’ka filluar procesi i dosjes së parë, po përpiqemi më të gjitha forcat që të hapim dosjen e parë, por do të marrë kohën e vet se janë procese ligjore super të ndërlikuara. Nëse e hapim sot dhe ecim me ritmin e komisioneve të vlerësimit në drejtësi ne do të arrijmë 200 deri në marsin e vitit të ardhshëm pastaj ligji pushon vlefshmërinë dhe procesi stopohet. I kam propozuar Kuvendit të Shqipërisë ta ndryshojmë në mënyrë që ligjin ta zbatojmë, mos ta lëmë retorikë në letër. Asnjë argument tjetër nuk ka lidhje fare, sepse janë po të njëjtët njerëz, procedura dhe parime, vetëm se është hequr vija e kuqe në fund të procesit që e bën procesin të pazbatueshëm”,- theksoi ministri i Brendshëm.

Ministri Lleshaj shprehu besimin se Parlamenti do të kalojë të njëjtin ligj pa reflektuar argumentet e Presidentit, pasi tha ai “ligji ka qenë i plotë”.

“Sigurisht që ky ndryshim ligjor është vullnet politik i një shumice politike, që ka gjetur miratimin e Parlamentit të Shqipërisë. Besoj se ligji nuk do ta humbë miratimin e Kuvendit. Unë i kam hedhur një sy rezervave të argumenteve të Presidentit dhe nuk shikoj ndonjë argument për të bërë ndryshim ligjor. Ne nuk kemi çuar një dokument të çalë tek Presidenti, kemi çuar një dokument të plotë”, – theksoi Lleshaj. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.