KOMENT – Ukraina përballë shfaqjes së madhe presidenciale

KIEV, 19 prill /ATSH-AFP/ – Një showman i ri në politikë, i papërvojë me kulisat e pushtetit, përballë kreut të shtetit: dy rivalët e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë përballen sot në stadiumin më të madh në vend për një debat, në kulmin e një fushate të jashtëzakonshme, që sheh si favorit komedianin Volodimir Zelensky.

Dy ditë para raundit të dytë, deri në 60 000 spektatorë janë mbledhur në stadiumin ”Olimpijski” në Kiev për të marrë pjesë në përballjen midis aktorit 41-vjeçar dhe kreut të shtetit në largim, 53-vjeçarit Petro Poroshenko.

Me më shumë se 70% të votave nëpër sondazhe, Volodimir Zelensky duket të jetë në pragun e presidencës së kësaj ish-republike sovjetike në portat e Bashkimit Europian, pre e një konflikti të armatosur me separatistët pro-rusë që ka shkaktuar gati 13 000 të vdekur në pesë vite.

“Unë nuk heq dorë dhe nuk kam për të hequr dorë”, ka përsëritur të premten në mëngjes në faqen e tij në Facebook, presidenti në largim, pasi u kërkoi falje votuesve për gabimet e tij dhe vuri në dukje shumë herë rreziqet që kërcënojnë Ukrainën në rast të një fitoreje, tashmë të mundshme, të kundërshtarit të tij.

Duke qenë që nga fillimi i fushatës së tij si e vetmja mburojë kundër Vladimir Putinit, Petro Poroshenko ka ndërmend të përfitojë nga përballja të premten për të nxjerrë në pah përvojën e tij politike, diplomatike dhe ushtarake të akumuluar për pesë vite në krye të një vendi në luftë, përballë vështirësive të rënda financiare dhe tensioneve të pashembullta me Rusinë fqinje.

Megjithatë, ai do të ballafaqohet me një komedian me 20 vjet përvojë në shfaqjet stand-up, i cili ka arritur të transformojë thirrjet për debat të kundërshtarit të tij në një serial fantastik rreth kushteve të takimit.

Nuk ka armëpushim në lindje

Presidencialet në Ukrainë po zhvillohen në ndërkohë kur ish-republika sovjetike me rreth 45 milionë banorë është përballur prej vitesh me krizën më të keqe që nga pavarësia në vitin 1991.

Ardhja e pro-perëndimorëve në pushtet në 2014 u pasua nga aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe një luftë në lindje me separatistë të mbështetur ushtarakisht, sipas Kievit dhe Perëndimit, nga Moska, e cila i hedh poshtë këto akuza.

Përtej premtimit të tij për të ruajtur qetësinë pro-perëndimore të marrë në vitin 2014, politika që Zelensky do të ndjekë mbetet shumë e paqartë, edhe nëse ai u përpoq në mes të dy raundeve për të forcuar besimin tek ai, duke e rrethuar veten me këshilltarë më me përvojë dhe duke u takuar javën e kaluar në Paris me presidentin Emmanuel Macron.

Pas fushatës, kryesisht në rrjetet sociale, komediani u thirr në një emision televiziv të enjten në mbrëmje ku skicoi hapat e para të një presidence të paimagjinueshme disa javë më parë, duke përfshirë dhe ekipin që e rrethonte.

“Nuk di shumë nga politika, nuk kam ndonjë përvojë, kjo është e vërtetë, por unë jam një person që ngjason me qytetarët e thjeshtë ukrainas”, këmbënguli ai.

Nëse Petro Poroshenko është akuzuar nga mbështetësit e tij për afrimin e vendit drejt Perëndimit, ndryshimin e ushtrisë dhe shmangien e falimentimit të vendit të tij, një nga më të varfrit në Evropë, kritikët e tij e akuzojnë atë se ka zvarritur luftën kundër korrupsionit dhe se ka dështuar t’i jepte fund konfliktit në lindje.

Marrëveshjet e paqes të nënshkruara në Minsk në fillim të vitit 2015 kanë lehtësuar tensionet, por luftimet mbeten të përditshme dhe se disa orë bisedime të enjten nuk iu mjaftuan protagonistëve të binin dakord për një armëpushim për pashkën ortodokse, më 28 prill.

Kievi ka fajësuar Rusinë për këtë dështim, me të cilën marrëdhëniet janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit me sanksione ekonomike reciproke që gjithnjë e më shumë ndajnë ekonomitë e tyre, dikur të lidhura ngushtë.

Duke përshpejtuar presionin e saj ekonomik vetëm disa ditë përpara votimit në Ukrainë, Rusia njoftoi të enjten synimin e saj për të ndaluar eksportet e produkteve të naftës dhe qymyrgurit në Ukrainë duke filluar që nga 1 qershori./ (Nga Germain Moyon) /ash/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.