Investimet më të mëdha në 30 vite për transformimin në universitete

TIRANË, 19 prill /ATSH-Maela Marini/ – Qeveria shqiptare ka vendosur investimet më të mëdha në 30 vitet e fundit në dispozicion të transformimit në universitete.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në prezantimin e “Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2019”, mbi cilësinë e mësimdhënies.

Rama tha se “brenda një harku 2-3-vjeçar do të kemi projekte të realizuara që do ta kenë transformuar jetën universitare”.

“Kemi në vijim punën për kantierin e infrastrukturës. Janë mbledhur informacionet për nevojat dhe ka filluar puna për projektet konkrete. Brenda vitit, në vjeshtë, ne do të lancojmë detajet e para për të filluar investimet në infrastrukturë për laboratorët, kampusin universitar, shtesat e nevojshme e me radhë. Investimi më i madh i qeverisë shqiptare do të jetë në dispozicion të këtij transformimi”, – tha Rama.

Duke folur për zotimet e realizuara në kuadër të “Paktit për Universitetin”, Rama veçoi sistemin e komunikimit online të çdo studenti me qeverinë, mekanizmin e transparencës së aktivitetit të universiteteve përmes portalit të dedikuar, bibliotekën dixhitale në dispozicion të gjithë studentëve dhe pedagogëve me miliona artikuj dhe qindra-mijëra tituj botimesh shkencore”. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.