Indeksi i shëndetit, Shqipëria përmirësohet me 7% në renditjen e “Bloomberg”

TIRANË, 19 prill/ATSH/ – Analizimi i të dhënave zyrtare të OBSH-së, PNUD-it dhe Bankës Botërore nga agjencia prestigjoze “Bloomberg” e rendit Shqipërinë në rankimin e përvitshëm të indeksit të shëndetit në vendin e 43-të, ndërkohë që dy vite më parë vendi ynë ishte në vendin e 50-të.

Në forumin e parë të Institutit të Shëndetit Publik të mbajtur sot në hotel “Tirana”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri është ulur, duke përmirësuar edhe renditjen e Shqipërisë me 7%.

“Nga të dhënat që kemi, vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare është ulur me 13%  për sëmundjet ishemike të zemrës dhe 11% infarkti i miokardit e me 17% sëmundjet cerebrovaskulare. Në renditjen e “Bloomberg”, Shqipëria është përmirësuar me 7%. Kjo do të thotë që është përmirësuar diagnostikimi i hershëm nëpërmjet të gjithë punës së bërë për uljen e listave të pritjes dhe mbështetjes financiare që qeveria ka vënë në dispozicion për të gjithë ciklin e trajtimit dhe diagnostikimit ndaj sëmundjeve kardiake dhe në të gjithë spitalet publike, por edhe në private jopublike duke financuar 100% nga shteti falas për qytetarë”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, ministrja tha “janë më shumë se 8 mijë qytetarë që kanë përfituar nga këto paketa. Sot ne mbulojmë me financim publik 80% të nevojës për trajtimin e sëmundjeve kardiake, duke mbajtur një premtim për uljen e parave që duhet të paguajnë  qytetarët. Sot ata paguajnë shumë më pak se më parë dhe se 80% e nevojës mbulohet nga shteti”.

Sipas saj, objektiv i qeverisë shqiptare mbetet mbulimi universal. “Objektivi ynë është  mbulimi universal, që do të thotë shërbim i aksesueshëm në kohë, me cilësi dhe i përballueshëm nga çdo qytetar. Ndaj këto të dhëna që prezantova, tregojnë se çdo investim për parandalimin dhe trajtimit të sëmundjeve sjell përmirësim të shërbimit”, theksoi ndër të tjera ministrja.

Renditja e vendeve në “Bloomberg” merr në konsideratë faktorë që ndikojnë në shëndetin e popullatës siç janë ushqimet që konsumohen, obeziteti, jetëgjatësia, vdekshmëria foshnjore, por edhe rreziqet që lidhen me duhanpirjen, alkoolin, ndotjen e ajrit apo edhe ndotjen e ujit, si edhe kushtet e mbulimit me shërbime shëndetësore.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.