Himarë/ Policia 20 orë kërkime, u vjen në ndihmë 2 turistëve belgë

TIRANË, 19 prill/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Policia e Himarës u vjen në ndihmë dy turistëve të huaj të cilët kishin humbur në një zonë të thellë të Himarës.

Më datë 18.04.2019, rreth orës 15:30, dy turistë të huaj belgë kanë telefonuar sallën operative Vlorë dhe kanë kërkuar ndihmë se kishin humbur në një zonë të thellë malore të Himarës. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kanë organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.

Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre. Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e tyre gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Ilias të Himarës.

Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave. Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e Policisë.

Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe u transportuan pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.