Haradinaj: Nevojitet mobilizim i shtuar kundër informalitetit

PRISHTINË, 19 prill /ATSH/ – Fuqizimi i sundimit të rendit e të ligjit, si prioritet parësor i Qeverisë, përfshin edhe luftën kundër ekonomisë joformale, e cila ushqen krimin dhe demotivon bizneset e rregullta, duke goditur kështu buxhetin e shtetit dhe funksionimin e ligjit.

Kështu deklaroi Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ku zhvilloi takim me Grupin Koordinues për të diskutuar rreth ekonomisë joformale.

“Qeveria e Kosovës ka ndërmarr masa, përfshirë rishikimin e Strategjisë për luftimin e ekonomisë joformale, hartimin e koncept dokumentit për largimin e barrës administrative, si dhe hartimin e miratimin e ligjit për inspektime. Krahas këtyre masave, kam filluar nismën për të identifikuar intervenimet specifike për luftimin e ekonomisë jo-formale me qëllim të zvogëlimit të konsiderueshëm të saj deri në fund të vitit 2019”, tha kryeministri.
“Në takimin e Grupit Koordinues për diskutimin e ekonomisë joformale, së bashku me ministrat e linjës dhe aktorët përgjegjës, u dakorduam se Kosovës i duhet një mobilizim i shtuar dhe luftë e pakompromis kundër informalitetit”, thekson në fund Haradinaj. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.