Hajdari: Grupi parlamentar demokrat, në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit

TIRANË, 19 prill/ATSH/ “Grupi parlamentar demokrat është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë”, deklaroi sot deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, njëkohësisht kryetare e këtij grupi parlamentar të zyrtarizuar dje në Kuvend.

Përmes një deklarate për shtyp, Hajdari u shpreh se “sikurse unë, ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike”.

“Partia Demokratike me vendimin për dorëzimin në bllok të mandateve vendosi njëkohësisht të ndërpresë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë grupin parlamentar të PD-së. Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se: për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh; çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar dhe një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”, u shpreh Hajdari.

Ndaj, sipas saj, “nuk jemi në kushtet e largimit nga grupi parlamentar i PD-së dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6-mujor, por jemi në rrethanat e faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake, apo të orientimit politik, në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e grupit parlamentar”.

“Grupi parlamentar demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim zgjidhjen e krizës politike përmes reformimit të sistemit zgjedhor, përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend dhe misionin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Hajdari. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.