FOTO/ “Shtëpia me Gjethe” nxjerr personazhe e ngjarje historike nga dritëhija

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Muzeu Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” ka sjellë numrin e parë të revistës muzeologjike “Dritëhije”, një botim periodik i cili do të publikojë në vijimësi ngjarje, personazhe e figura historike kombëtare të veshura me dritëhije.

Promovimi i këtij botimi u zhvillua në praninë e drejtoreshës së muzeut, Etleva Demollari, zv.Ministres së Kulturës, Valbona Shujaku, drejtori i Institutit të Studimeve Politike,Afrim Krasniqi, Andrea Llukani, përgjegjës Sektori në MHK, numrin e parë të revistës dhe studiuesve, muzeologëve e studentëve të Historisë e të Trashëgimisë Kulturore.

Drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari në fjalën e saj tha se, “dritëhije na kujton pandashmërinë midis të zezës dhe të bardhës, qartësisë dhe errësirës, pozitives dhe negatives, njohurive dhe injorancës. Këto dy pole. dukshëm të papajtueshme janë në fakt të dënuara për të jetuar një dinamikë të përhershme të ndërlidhjes/opozitës, drita dhe hija”.

”Shtëpia me Gjethe…Gjethe që e rrethojnë këtë shtëpi, mbulojnë dritën e diellit dhe krijojnë hije. Rreze drite që arrijnë të depërtojnë. Edhe brenda muzeut, tekstet e shkruara, panelet, diciturat dhe imazhet janë bardhezi. Sektorë me pamje, filmime, dokumente dhe fotografi, me dritëhije ku e zeza shërben si shenjim i misterit dhe i sekreteve që bart godina. Histori agjentësh, bashkëpunëtorësh, emra të fshehur e të zbuluar, viktima që kthehen në bashkëpunëtorë dhe bashkëpunëtorë që kthehen në viktima, përgjues e të përgjuar”, tha Demollari.

Ajo shtoi se, ”në këtë revistë që fillon ne kërkojmë të hedhim Dritë, Dritë që buron nga kujtesa, nga dokumentimi i krimeve të diktaturës dhe totalitarizmit komunist, nga kujtimi i atyre që mundën të mbijetojnë e që davarit zezonën. Këtë mëtojmë të tregojmë me Dritëhije-n”.

Ajo foli dhe për rolin e muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në përballjen me të kaluarën.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike e konsideroi revistën si një nisje shumë të mirë.

“Pashë disa prej punimeve dhe ishin shumë të mira. Është një nisje shumë e mirë dhe një sinjal pozitiv dhe uroj të ketë vazhdimësi, më shumë sesa kanë pasur revista të tjera. Në numrat ardhshëm Instituti i Studimeve Politike do të jetë i përfshirë. Me Drejtoreshën e muzeut si dhe me Ambasadën Çeke jemi duke punuar për një projekt të ri që i dedikohet brezin e ri. Fokusi është kalimi nga zyra në online.. Jo për tu fokusuar vetëm te gjërat ekstreme te dhimbja jonë. Jemi i vetmi popull që komunizmin e kemi patur brenda nesh”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi vijoi se, ”për të parë të gjitha aspektet e jetës, mënyrës si ka funksionuar sistemi, dallimin me shtetet e tjera, për të mësuar për të ardhmen që të parandalojmë sjellje dhe praktika të cilat mund të na dëmtojnë. Brezi të mësojë jo për të kuptuar njerëzit që kanë patur brenda tyre të mirën apo të keqen po për të kuptuar që sistemi i ka detyruar ata të bëjnë akte që sot të ndjehen të turpëruar. Problematikë studentët që në artikujt apo shkrime i japin rëndësi ligjërimit politik të ditës dhe dëshmive personale. Nuk kanë shkuar në arkiva dhe nuk përdorin burime të referueshme. Ndaj kjo revistë mund të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve që kemi në këtë fushë.”

Gjithashtu Valbona Shujaku, zv.ministrja e Kulturës e cilësoi revistën si një vazhdim i programeve të Muzeut, që i ngre ato në nivel shkencor.

Ajo gjithashtu vlerësoi Muzeun Kombëtar “Gjethi” për programet edukative “Kujtojmë për të mos harruar” dhe “Mbresa”, aktivitetet e të cilave në mënyrë konstante përfshijnë gjeneratat e reja dhe grupmosha specifike. Sipas saj mënyra se si shpjegohet komunizmi në këtë muze duke e ndërthurur me rrëfimin e të dënuarve në është mënyra më e lehtë e mësimit të komunizmit. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.