FOTO/ Premiera ”Historia e kopshtit zoologjik”, të vërteta jetësore në një dialog

TIRANË, 19 prill /ATSH-A.ALLA /- Vepra teatrore ”Historia e kopshtit zoologjik” është premiera që vjen sonte për publikun në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Nën regjinë e Eni Janit, vepra trajton tema sociale me mesazhe mjaft aktuale që nga toleranca, edukimi i fëmijëve dhe deri tek mos komunikimi midis individëve në shoqëri, që është dhe mesazhi kryesor i kësaj shfaqjeje, fenomen ky universal.

Shfaqja do të ngjitet në skenë përmes dy personazheve që interpretohen nga aktorët Genci Fuga si Piter dhe Kristian Koroveshi si Xherri.

Para premierës në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” regjisorja Eni Jani gjatë një komunikimi me mediet tregoi risitë e shfaqjes ”Historia e kopshtit zoologjik”  dhe mesazhin që përcjell kjo vepër tek publiku.

”Historia nis shumë thjesht. Xherri i afrohet Piterit dhe i kërkon të bisedojnë bashkë. Gjatë dialogut që kanë me njëri-tjetrin përreth 1 orë e pak që zhvillohet ngjarja dalin dhe kuptohen shumë të vërteta dhe sidomos nga personazhi i Piterit. Piteri si personazh në shfaqje është një person i arrirë në karrierë dhe me një familje, pra, duket se çdo gjë tek ky personazh është në rregull. Nëpërmjet rrëfimit që bën Xherri për jetën e tij, Piteri kupton shumë të vërteta të qenies njerëzore dhe komunikimit dhe nga kjo përballje i përmbys Piterit gjithçka që ai ka arritur në jetën e tij”, u shpreh regjisorja Jani.

Ajo shtoi se, ”personazhi i Piterit është pasiv pasi ai dëgjon dhe kupton të vërtetat e tij, ndërsa personazhi i Xherrit është më kompleks pasi ka luhatje të mëdha emocionale që përjeton gjatë shfaqjes. Pavarësisht se këto personazhe duken të ndryshëm nga njëri-tjetri janë dhe të ngjashëm sepse në të njëjtën vetmi që është Xherri po ashtu është dhe Piteri vetëm se Piteri ka fatin të jetë në kushte ekonomike dhe sociale më të mira. Pra nga rrëfimi i Xherrit personazhi i Piterit kupton jetën e tij”.

Shfaqja do të ngjitet në skenë dhe mbrëmjet e 20 dhe 21 prillit në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.