FOTO/ Holokausti, eklips i arsyes njerëzore

TIRANË, 19 prill /ATSH/- Holokausti u përkujtua në një aktivitet nga gjimnazistë nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar. Gjimnazi “Ismail Qemali” organizoi aktivitetin me titull “Holokausti: Eklips i arsyes njerëzore”.

Aktivitetin e hapi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, i cili prezantoi shkurtimisht pjesën nga pavijoni i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Muzeun Historik Kombëtar, këndin kushtuar popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre, në të cilin janë paraqitur lista e partizanëve hebrenj të vrarë gjatë Luftës, të cilëve iu është dhënë statusi “Dëshmor i Atdheut”.

“Shembullin e shqiptarëve, që nën kërcënimin e vdekjes arritën të shpëtonin hebrenj, duhet ta lartësojmë duke vijuar në rrugën tonë të ndërtimit të një shoqërie tolerante dhe pa ndasi. Në këtë kontekst, edukimi i brezave të rinj merr vlerë të veçantë. Nuk mund të gjendej një temë më e mirë se kjo, me të cilën të vazhdohet kjo traditë e hapjes së institucionit tonë, e Muzeut Historik Kombëtar, për nxënësit dhe për brezin e ri në tërësi”, – tha Koçi.

Pjesë interesante e aktivitetit ishte një rrëfim në vetën e parë nga një hebre që ia doli të shpëtojë, si dhe një video hyrëse. Më pas, aktiviteti ishte u organizuar në formë diskutimi nëpërmjet tre grupeve. Grupet folën shkurtimisht për jetën e Hitlerit dhe ardhjen në pushtet të nazizmit, për kampet e përqendrimit, metodat e vrasjes dhe eksperimentet shkencore, si dhe për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe copëza intervistash.

/a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.