FOTO/ 20 vjet pas eksodit, dëshmitë e fëmijëve në 100 vizatime dhe vjersha

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Ekspozita “Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas” sjell për artdashësit kryeqytetas 100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve kosovarë gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

Gjatë hapjes së ekspozitës Eridana Çano, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje tha se, “mobilizimi i shqiptarëve për të ndihmuar kosovarët e dëbuar dëshmoi vlerat e një kombi të bashkuar. Kjo ekspozitë sot është dëshmi e kujtesës, e fëmijëve që i mbijetuan luftës, falë ndihmës së Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut , e cila organizoi 36 shkolla verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për të rehabilituar fëmijët kosovarë”.

Merita Duraku ishte pjesëmarrëse në këtë ekspozitë me dy vizatime të krijuara në moshën 14-vjeçare.

Ajo shprehu mirënjohje për gjithë shqiptarët që iu gjendën pranë në momentet më të vështira të luftës dhe i dhanë shpresën për të jetuar përmes shkollave verore, të ngritura nga QSHDNJ.

Ekspozita “Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas” organizohet nga COD dhe Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ).

Ekspozita e çelur dje më datë 18 prill do të qëndrojë e hapur deri më 5 maj në mjediset e COD. /a.a/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.