“Forca e Ligjit” në tremujorin e parë të 2019, arritje të mëdha

TIRANË, 19 prill/ATSH/- Operacioni “Forca e Ligjit” për tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar arritje shumë të madhe, ka një numër shumë të madh operacionesh dhe të arrestuarish për vepra nga më të ndryshmet.

Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një intervistë televizive.
“Niveli i goditjes ka qenë shumë i madh. Janë arrestuar vetëm këtë vit qindra persona për vepra të rënda kriminale që janë rezultat i punës së Taskforcës qendrore. Por unë jam kujdesur që Taskforca të mos bëjë shumë zhurmë”, – nënvizoi Lleshaj.

“Ajo që mund të them është se ‘Forca e Ligjit’ këtë vit ka pasur një rritje shumë të theksuar me vitin e kaluar dhe këto do ti publikojmë për këdo që ka interes. Qasja ime është që Taskforca të shtrihet në të gjithë territorin e vendit”, – tha Lleshaj.

I pyetur nëse ka grupe mafioze në Shqipëri, ministri Lleshaj tha se vendi ynë ka grupe dhe organizata kriminale, por jo grupe mafioze.

“Këtu bëhet fjalë për një krim që është në faza të moderuara të sofistikimit dhe organizimit, sigurisht mjaft i rrezikshëm edhe në këtë nivel. Një krim që për shkak të kohës së pamjaftueshme që ka pasur për t’u organizuar dhe financave të pamjaftueshme nuk ka arritur në atë nivel sa të shndërrohet në një nivel të madh drame, saqë të mos mund t’i afrohet dikush. Nuk mund të them që Shqipëria ka mafie, ka grupe kriminale dhe organizata kriminale, por nuk mund të them që ka mafie”, – tha Lleshaj.

“Nuk mund të them sa grupe dhe organizata kriminale ka, por jam këtu për ti thënë qytetarëve se Policia e Shtetit dhe organizatat ligjzbatuese, të cilat besoj se sot më shumë se kurrë më parë janë shumë të akorduara me njëra-tjetrën në nivel bashkëpunimi, shkëmbimi të informacionit dhe besimit, sepse një nga sfidat kryesore të luftës kundër krimit është besimi”, – u shpreh Lleshaj.

Ministri Lleshaj theksoi se “jemi në një pikë pozitive historie, krahasuar me historinë kur në Shkodër kemi pasur 18-19 vrasje në një vit. Dhe këta që sot kanë vënë kujën, janë përgjegjës për këtë situatë”.

Lleshaj u shpreh “besimplotë se situata do të njohë përmirësim në qytetet ky volumi i kriminalitetit është më i lartë si Shkodra, Elbasani, Vlora, Tirana, Durrësi”./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.