Durrës/ Sekuestrohen 1000 koli cigare kontrabandë

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Struktura të Hetimit Doganor sekuestrojnë 1000 koli cigare kontrabandë në Doganën e Durrësit.
Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme për kontejnerin me cigare, Drejtoria e Hetimit Doganor në Drejtorin e Përgjithshme të Doganave, ushtroi kontroll në kontejnerin me cigare, ku gjatë kontrollit u konstatua se të gjitha paketat ishin pa pulla fiskale.
Këto paketa me cigare nuk rezultojnë si marke cigaresh ndërkombëtare e regjistruar dhe e mbrojtur.
Sasia e sekuestruar është 1000 koli me cigare me nga 50 steka, me 10 paketa, me 20 fije, gjithsej 10.000.000 fije cigare.
Drejtoria e Hetimit Doganor e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale: “Kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, të parashikuar nga neni 172 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe me parnerët ndërkombëtarë, po kryhen veprimet e para hetimore. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.