Departamenti Amerikan i Mbrojtjes: Shqipëria, kontribuesja e dytë më e madhe për banorë në misionin e Afganistanit

TIRANË, 19 prill/ATSH-Arbi Fortuzi/- Me më shumë se 100 trupa që shërbejnë në Misionin e Përhershëm Mbështetës në Afganistan, Shqipëria është kontribuesja e dytë më e madhe për banorë në këtë operacion të rëndësishëm të NATO-s.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes publikoi disa fakte për Ushtrinë shqiptare, ndërkohë që
ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka po zhvillon vizitën e dytë në SHBA brenda një kohe të shkurtër. DASH shkruan se Shqipëria është një kontribuese e rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n ndërsa paraqet takimin e ministres Xhaçka me sekretarin e Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.
DASH vë në dukje se pjesë e NATO-s që nga viti 2009, Shqipëria festoi 10-vjetorin në këtë aleancë këtë vit. Shqipëria aktualisht shërben si kryetare e grupit të kombeve të Kartës së Adriatikut duke punuar për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Si sinjal i progresit që Shqipëria ka bërë që nga rënia e komunizmit në vitin 1992, sipas DASH, ajo mori në vitin 2014 statusin e kandidatit në Bashkimin Europian. DASH po ashtu thekson se Shqipëria ka një marrëdhënie të ngushtë me New Jersey-n dhe Gardën Kombëtare të New Jersey-t, si pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i themeluar në vitin 2001. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.