Çuçi: Takimi me investitorët sauditë, mundësi e shkëlqyer për investimet e huaja direkte në bujqësi

TIRANË, 19 prill/ATSH-Megi Zonja/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi mori sot pjesë në takimin me grupin e 25 investitorëve sauditë të cilët kanë mbërritur në Shqipëri me ftesë të Kryeministrit për një “Business Tour” treditor.

Çuçi u shpreh se “kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar potencialet e shumta që ka vendi ynë për investimet e huaja direkte në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

Ministri theksoi se “bujqësia është për ekonominë tonë një sektor strategjik. Kemi shtuar mbështetjen vit pas viti me grante dhe politika të tjera favorizuese për fermerët, por Shqipëria rurale ka ende potenciale të pashfrytëzuara, prandaj investimet e huaja janë të mirëpritura. Prodhimi i grurit dhe patates, qendrat bujqësore multifunksionale, blegtoria, investimet në porte, rehabilitimi i digave dhe sistemit të vaditjes ishin disa nga fushat me interes për investitorët sauditë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.