Berati, qyteti i parë me guidë praktike për hapjen e një biznesi të ri

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Guida “Të bësh biznes në Berat’’, është botimi i parë i këtij lloji në 61 bashkitë e Shqipërisë dhe është përgatitur për t’u ardhur në ndihmë biznesit, investitorëve dhe personave fizikë e juridikë, të cilët janë të interesuar për të hapur një biznes në Berat.

Ajo prezanton në mënyrë praktike sipas modelit amerikan hapat që duhet të ndjekë një biznes për të pasur aktivitetin e tij. Broshura është e ndarë në disa seksione: Ku mund të regjistrohet një biznes i ri; cilat janë lehtësirat për start up-et; cilat janë hapat që ndiqen për të hapur një biznes në shtëpi, për të bërë ndryshime në fasadën e ndërtesës, për të kryer ndryshime strukturore jashtë ndërtesës, për punët publike, për lejet e ndërtimit, apo për punimet e ndryshme.

Jepen gjithashtu udhëzime praktike për shitësit ambulantë, zgjedhja e vendit për kryerjen e aktivitetit, këshillat për hapësirën, transportin publik, vendparkingjet, kompanitë e sigurimeve, agjencitë e financimeve dhe kredidhënies, si dhe bankat e nivelit të dytë në Berat.

Broshura siguron informacion mbi procedurat që duhet të ndiqen nga sipërmarrësit për të punësuarit në aktivitetin e tyre, si dhe këshilla për rekrutimin e stafit. Në seksionin e fundit ka një informacion konciz mbi listën e institucioneve vendore, shkollat e mesme të qytetit, transportin, dhe informacione praktike mbi mënyrën e aksesimit të Beratit, si dhe një historik të shkurtër rreth tij.

Kjo broshurë është publikuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, do t’u shërbejë gjithashtu edhe vizitorëve në “Zyrën e informacionit turistik” të bashkisë së Beratit. Ajo do të jetë e ekspozuar pranë “Zyrës me një ndalesë” dhe do jetë e disponueshme pranë çdo biznesi apo institucioni publik vendor.

“Të bësh biznes në Berat’’, është botim i parë që realizohet nga bashkia e Beratit me mbështetjen e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, “Programi për Qeverisjen Vendore”. 

Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, mbajti fjalën e hapjes në prani të përfaqësuesve të biznesit, institucioneve dhe shoqërisë civile. Në takim përshëndeti, Elton Stafa, përfaqësues i projektit PLGP, USAID, si dhe Klejda Kusta, drejtoreshë e Zhvillimit Strategjik dhe Integrimit në BE për bashkinë e Beratit. Ishte i pranishëm gjithashtu edhe Prefekti i Qarkut Berat, Harilla Dafa. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.