Ambasadori Kuka takohet me producentin e festivalit teatror Gavran Fest

TIRANË, 19 prill/ATSH-Megi Zonja/ Në mjediset e Ambasadës shqiptare në Çeki, ambasadori Ilirian Kuka priti producentin e Gavran Fest, František Karoch. Gavran Fest është një festival teatror kushtuar autorit bashkëkohor kroat Miro Gavran, i cili ka shkruar drama dhe komedi, të cilat janë shfaqur në teatrot e mbarë botës. Ai është i vetmi autor në Europë që ka një festival kushtuar vetëm veprës së tij, jashtë atdheut të tij.

GavranFest i ka fillimet e tij në 2003 në Sllovaki, në vitin 2013 ka performuar në Poloni dhe që nga viti 2016 mbahet në Çeki. Edicioni i 10-të i Gavran Fest do të mbahet në tetor 2019 në Pragë. Në këtë edicion të këtij festivali teatror është ftuar të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet nga teatri “Petro Marko” i Vlorës me komedinë “Sundimi i gruas”. Gjithashtu, në ketë festival për herë të parë do të prezantohet edhe Kosova, me shfaqjen “Si ta Vrasim Presidentin” nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Ambasadori Ilirian Kuka premtoi mbështetje maksimale dhe diskutoi në detaje mbi kërkesat e paraqitura nga organizatorët. Në Ditën e Shqiptarisë, do të shfaqen komeditë nga Shqipëria dhe Kosova, dhe do të ketë edhe aktivitete të tjera që do të pasqyrojnë kulturën dhe artin mbarëshqiptarë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.