Alibeaj: Emërimi prokuror nga KLP i Valikajt, vendim politik

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Partia Demokratike e konsideroi sot politik, antikushtetues dhe të paligjshëm, emërimin si prokuror nga KLP të Bledar Valikajt.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se “në kundërshtim me Kushtetutën, KLP ka emëruar prokuror ushtarin e Edi Ramës pa kaluar në Veting dhe pa mbaruar magjistraturën”.

“Përdorimi politik i drejtësisë së re shpjegon pse 63% e shqiptarëve nuk besojnë më tek Vetingu dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë. Me votën e Gent Ibrahimit, i cili përfaqëson interesat e Edi Ramës në organin më të lartë vendimmarrës për prokurorinë, në sistem është emëruar, në mënyrë antikushtetuese dhe pa veting, bashkëshorti i ish-ministres së Edi Ramës, Ermonela Felaj”, tha Alibeaj.

Ai theksoi se “ky emërim është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi”.

“E vetmja gjë që po ndodh është se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po mbahen në sistem, politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar janë të paprekshëm dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë vetëm për familjarët e pushtetarëve”, tha Alibeaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.