“Air Albania” nis sot fluturimin e parë zyrtar nga Tirana në Stamboll

 TIRANË, 19 prill/ATSH/- “Air Albania” do të kryejë sot fluturimin e parë zyrtar nga Tirana për në Stamboll.

Në faqen zyrtare të Aeroportit të Rinasit, në orarin e nisjeve është listuar fluturimi me numrin “ZB 1003” që është dhe kodi ndërkombëtar i “Air Albania”.

Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, do të jetë mbrëmjen e sotme në orën 20:55.

Avioni i parë i “Air Albania”, i cili ka marrë certifikimin pranë Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) sipas kërkesave të kuadrit ligjor vendas dhe direktivave të Bashkimit Europian, do të pasohet nga një avion i dytë, i cili do të ketë si destinacione aeroportin e Romës, të Milanos, të Bolonjës dhe të Londrës.

“Air Albania”, me modelet më të fundit të avionëve është e para kompani ajrore e flamurit tonë dhe e para kompani ajrore me kapital publik brenda saj, në bashkëpunim me “Turkish Airlines”.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.