Adresim i saktë i problematikave, lançohet “Sondazhi Kombëtar i Studentëve”

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Studentët do të japin vlerësimet e tyre lidhur me cilësinë e mësimdhënies në universitete përmes programit “Sondazhi Kombëtar i Studentëve” të prezantuar sot.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në takimin me studentët ditën e premte e shoqëruar edhe nga kryeministri i vendit, sqaroi se kjo do t’i shërbejë adresimit të problematikave që hasen në fakultete.

“Është shumë e rëndësishme që të marrin pjesë sa më shumë studentë, t’i përgjigjen pyetjeve dhe sa më shumë përgjigje të kemi nga ju aq shumë do të kemi dijeni për problemet më të cilat haseni për t’iu drejtuar universiteteve që të zgjidhim çështjet që dalin nga ky sondazh”, – tha Shahini.

Sipas ministres, “Sondazhi Kombëtar i Studentëve”, mundëson që të gjithë studentët në Shqipëri për herë të parë të shprehin mendimin e tyre në lidhje me cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjes institucionale që iu ofrojnë institucionet e Arsimit të Lartë.

Pyetjet e sondazhit përfshijnë pyetje nga cilësia e mësimdhënies, kërkimit shkencor, mënyrës së sjelljes së pedagogëve, metodologjinë e pedagogëve si dhe problemet që hasin studentët në fakultete.

Sipas Ministrisë së Arsimit, janë kontaktuar rreth 4200 studentë në 8 qytete dhe janë takuar mbi 320 anëtarë të grupeve të punës në 41 institucione të arsimit të lartë.

Nëpërmjet një e-mail-i që dërgohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë, mbi 100 mijë studentëve do t’u dërgohet linku nga ku mund të plotësojnë sondazhin online për vetëm 15 minuta. Shahini bëri të ditur se sondazhi do të qëndrojë i hapur deri në 2 maj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.