47 programe profesionale më shumë në arsimin e lartë

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Vetëm këtë vit akademik 2018-2019 në vendin tonë janë 47 programe profesionale më shumë në arsimin e lartë krahasuar me vitet e mëparshme, duke sjellë rritjen e regjistrimeve të reja të studentëve në këto programe.

Sipas raportit të vitit 2017 të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tregu ynë i punës ka nevojë kryesisht për punonjës të kualifikuar si në menaxhim, ekonomi, teknologji informacioni dhe komunikimi, mekatronikë, elektrikë etj.

Ndaj, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë orienton universitetet që të hapin programe të reja profesionale në këto profile dhe vetëm këtë vit akademik kemi 47 programe profesionale më shumë në arsimin e lartë.

Sot studentëve të rinj iu mundësohet të zgjedhin mes 70 programeve profesionale, ndërkohë që në vitin 2013 ishin vetëm 12 të tillë. Numri i studentëve të regjistruar në vitin akademik 2018-2019 ka arritur në 2020, ndërsa në vitin akademik 2013-2014 ishte 584.

Kjo larmishmëri oferte akademike ka sjellë rritjen e regjistrimeve të reja të studentëve në programet profesionale me mbi dy herë, krahasuar me vitin e kaluar dhe 3 herë më shumë se në vitin 2013.

/k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.