Zv/ministrja Voda: Kërkesat për azil u ulën me 300%, vetëm 0.2% e të proceduarve në Holandë janë shqiptarë

TIRANË, 18 prill /ATSH – A. Fortuzi/- Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda gjatë një interviste në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, është shprehur e bindur se vendimi i parlamentit holandez nuk do të cenojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe as negociatat.
Sipas saj, ka disa kritere të rëndësishme që duhen plotësuar që vendet e Bashkimit Europian të ndërmarrin nisma të tilla, siç është pezullimi lëvizjes së lirë nga vendet e treta, drejt BE-së.

“Në fakt për mua si zv/ministre e Brendshme që mbuloj çështjet e azilit dhe migracionit, ishte një vendim jo i mirëpritur, por kjo jo vetëm për mua. Nuk ishte i mirëpritur, sepse vendimi ishte në mospërputhje me qëndrimin e dy zyrtarëve të lartë të qeverisë holandeze, ministrit të Drejtësisë, Mark Harbers dhe ministrit të Sigurisë të Mbretërisë së Holandës, Ferdinand Grapperhaus, të cilët u shprehën shumë pozitivë për ecurinë e reformave në vendin tonë, veçanërisht për punën e bërë nga Ministria e Brendshme”, – tha Voda.

“Për sa i takon luftës për krimin e organizuar dhe emigracionin e paligjshëm kanë qenë dy shtyllat kryesore të punës së Ministrisë së Brendshme. Sigurisht mënyra se si është adresuar puna, fenomeni ka pasur ato karakteristikat e veta. Vlen të kujtoj taskforcën për krimin e organizuar të ngritur në 2018, që ka arritur rezultate të rëndësishme. Dhe sigurisht shifrat kanë qenë të rëndësishme”, – tha ajo.
“Shqetësimi i deputetëve holandezë nuk përputhet me shifrat reale të krimit që i pranojnë vetë të kryer nga keqbërës shqiptarë. Flasim për një total 0,2% të shqiptarëve të inkriminuar që kanë kryer vepra penale. Për sa i takon migracionit të paligjshëm duke i bërë një krahasim që prej vitit 2015, në vitin 2017 kemi pasur ulje prej 35% dhe kemi një ulje në vitin 2018 prej 20%. Dhe nëse do të krahasojmë shifrat e 2018 me vitin 2015, kemi një ulje 300% të azilkërkuesve shqiptarë drejt BE-së”, – tha Voda.
Sa i takon çeljes së negociatave, Voda u shpreh besimplotë se Komisioni Europian do ketë një vlerësim pozitiv për vendin tonë.
“Ministria e Brendshme është lider i Kapitullit 24 për hapjen e negociatave dhe në fakt ne aty raportojmë për fushat që mbulon Ministria e Brendshme, siç është krimi i organizuar, migracioni, azili, procesi i lëvizjes së lirë, kontrolli kufitar. Në fakt, – tha ajo, – është një proces që pikësëpari bazohet me përafrimin e legjislacionit, procesi Screening. Nga të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme është bërë një punë shumë e mirë, një analizë e thellë i të gjithë legjislacionit tonë. Pas disa ditësh do kemi dhe një takim në Bruksel për këtë kapitull, ku me kolegët e Komisionit Europian do të diskutojmë për analizën e legjilslacionit që kemi bërë. Është bërë një punë e mirë. Nuk është një proces i lehtë, por jemi në rrugën e duhur”, – tha zv/ministrja.
“Shqipëria ka një legjislacion të mirë e të përafruar pjesërisht me atë të BE-së. Në shumë prej fushave të kriminalitetit, viti 2018 është një nga vitet më të mira. Në vitin e shkuar, kemi shënuar ulje të disa veprave të rënda penale, dhe gjithashtu kemi pasur sigurisht dhe një ulje të numrit në total të azilkërkuesve. Një numër shumë i madh operacionesh është realizuar me partnerë të besueshëm, çka tregon se dhe ne tashmë, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme është partner i besueshëm për ta (BE)”, – tha Voda.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.