Standarde të reja në qendrën shëndetësore në Sauk, përfitojnë 13 mijë banorë

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Pas shumë vitesh në gjendje të degraduar, qendra shëndetësore e Saukut, në periferi të Tiranës po transformohet sipas standardeve më të larta të kujdesit parësor.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila vizitoi nga afër qendrën dhe investimin e kryer për të siguruar shërbim cilësor për 13 mijë banorët e Saukut.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se do të vijojnë investimet në zemër të komunitetit, aty ku është porta e parë e shërbimit shëndetësor, për të siguruar akses në shërbime për këdo, kudo ku jeton.

“Kjo qendër që po transformohet për 13 mijë banorët e Saukut, në periferi të Tiranës, në bashkëpunim me partnerët tanë të ‘Shëndet për të Gjithë’ siguron një standardin më të lartë të shërbimit në kujdesin parësor”, u shpreh Manastirliu.

Për vitin 2018, vetëm në bashkinë e Tiranës u rehabilituan 15 qendra shëndetësore, 80 në të gjithë vendin. Në këtë vit do të investohet për rehabilitimin dhe pajisjen e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë Shqipërinë, investime nga të cilat do të përfitojnë rreth 450 mijë qytetarë.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.