Sot në Kuvend, interpelanca e opozitës me Ministrin e Brendshëm

TIRANE, 18 prill/ATSH/- Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në rend të ditës janë përfshirë shqyrtimi i disa projektligjeve, ndërsa do të ketë edhe interpelancë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës.

Sipas axhendës së publikuar nga Kuvendi, gjatë kësaj seance do të shqyrtohet raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2018 si dhe raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri për vitin që kaloi.

Në seancë e sotme plenare do të diskutohet Akti Normativ nr. 1, datë 20.03.2019 “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar si dhe Projektvendim “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.