Shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në rënie

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ “Shifra e azilkërkimit ilegal të shtetasve shqiptarë në vendet e tjera kanë rënë dhe nuk janë rritur, ndërsa Holanda nuk e ka fare këtë problem”, – tha sot në Kuvend Kryeministri Edi Rama.

Rama iu përgjigj deklaratës së kryetares së grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari e cila tha se “qeveria duhet të investojë më shumë në shëndetësi e arsim që të mos ikin shqiptarët jashtë”.

Kryeministri solli si shembull Kroacinë, vend anëtar në BE, ndërsa theksoi se “janë 100 mijë kroatë që kanë kërkuar punë në Gjermani në vitin 2018”.

“Është shumë e rëndësishme dhe serioze që të diskutojmë dhe bëjmë çmos që të përmirësojmë çdo ditë kushtet në këtë vend”, vijoi Kryeministri, por sipas tij, “askush nuk duhet të mendojë se ne do të zbulojmë çelësin magjik, që nuk e ka gjetur asnjë vend për të ndaluar që njerëzit të vrapojnë pas ëndrrave të tyre në vendet më të zhvilluara se ne”.

Kush mendon këtë, tha Rama, “ose është naiv ose bënë politikë”. “E vërteta është se ne marrim një goditje nga fakti që duke mos qenë anëtare të BE-së, nuk jemi pjesë e tregut të lirë të punës dhe për të shkuar për të punuar jashtë nuk i kemi rrugët e hapura siç i kanë kroatët, por i kemi rrugët e mbyllura”, – tha Rama.

Arsyeja që njerëzit kërkojnë azil jashtë, sipas tij, “nuk është politike, sepse në Shqipëri nuk ka luftë dhe persekutim, por kërkojnë për punë”.

Rama kërkoi që të ndahet propaganda nga faktet, pasi sipas tij, “shqiptarët kanë ikur dhe janë kthyer dhe do ta bëjnë akoma këtë, pasi nuk jemi më një vend i izoluar”.

“Ne themi se është e gabuar rruga e azilkërkimit ilegal, por shifrat kanë rënë dhe nuk janë rritur. Holanda nuk e ka fare këtë problem me shqiptarët, janë shifra qesharake. I vetmi vend me të cilin ne kemi ngritur një bashkëpunim për këtë çështje është Franca, pasi ky vend ka edhe sistemin më liberal të dhënies së azilit”, – tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.