Prag sezoni turistik, vëmendje e shtuar ndaj zonave të mbrojtura

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Zonat e Mbrojtura në Shqipëri po marrin vëmendje të shtuar nga institucionet përkatëse pasi vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Në këtë prag sezoni po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Drejtori i ADZM, Shkodër Agim Dardha në një deklaratë për mediet u shpreh mbi problematikat dhe prioritetet e zonave të mbrojtura në qarkun e Shkodrës.

”Administrata e Zonave të Mbrojtura ka hartuar planin tekniko–organizativ për një menaxhim të fluksit të turistëve brenda territorit të vendit. Konkretisht këto masa janë vënia e dy qendra të informacionit për turistët në zonën e Velipojës dhe të Thethit. Në qendrën e turistëve Velipojë ka nisur puna pasi ka prezencë të turistëve”, tha Dardha.

”Problematika kryesore në Zonat e Mbrojtura është fluksi i turistëve që vizitojnë këto zona sjell dhe efekte negative në mjedis. Qëllimi jonë është që çdo turistë që vjen në këto zona të këtë informacionin e duhur. Pra, ne jemi pro që të kemi një zhvillim të turizëm por duhet të jetë i qëndrueshëm, pra turizmi le të bëhet dhe mjedisi të mbrohet”, u shpreh Dardha.

Ai shtoi se, ”zjarret në qarkun e Shkodrës gjatë vitit 2018 nuk ka kanë qenë fenomene të shpeshta sepse zjarret kanë qenë gjatë periudhës së vjeshtës dhe nuk kanë qenë në pyje por në kullota dhe sipërfaqe bujqësore. Në zonat e mbrojtura ne i japim një rëndësi të veçantë mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave nga zjarri”.

”Një nga problematikat kryesorë që ka zona e Thethit është mbi pronësinë e tokave që kanë dhe mbi bujtinat. Gjithashtu problematika tjetër në këtë zonë është bllokimi i rrugës nga dëbora. Qeveria në 2018 ka hapur një dritë jeshile mbi certifikimin e pronave, ku lejon dhe brenda territorit të Zonave të Mbrojtura legalizimin e pronave por duke zbatuar kriteret e ligjit në fuqi. Kriteret e ligjit përcaktojnë mos daljen nga tradita, pra të mos kemi jashtë fshatit ndërtime të tjera dhe mos të ketë ndërtime me kate të larta që i prishin pamjen zonës”, përfundoi drejtori i ADZM, Shkodër Agim Dardha.  /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.