Nis akreditimi i mbi 280 qendrave shëndetësore

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Pas procesit të akreditimit të spitaleve publike dhe private ka nisur procesi i akreditimit të mbi 280 qendrave shëndetësore, në mënyrë që të përmbushen kushtet nga çdo institucion shëndetësor dhe të garantohet siguria e cilësia e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

“Me ligjin e ri të kujdesit shëndetësor që pritet të miratohet së shpejti, akreditimi do të lidhet drejtpërdrejt me licencimin dhe ky proces do të përfshijë jo vetëm spitalet, por edhe qendrat shëndetësore, të cilat duhet të plotësojnë standardet bazë”, – tha Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e qendrës së re shëndetësore në periferi të Tiranës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se do të vijojnë investimet në zemër të komunitetit, aty ku është porta e parë e shërbimit shëndetësor, për të siguruar akses në shërbime për këdo, kudo ku jeton.

Për vitin 2018, vetëm në bashkinë e Tiranës u rehabilituan 15 qendra shëndetësore, 80 në të gjithë vendin. Në këtë vit do të investohet për rehabilitimin dhe pajisjen e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë Shqipërinë, investime nga të cilat do të përfitojnë rreth 450 mijë qytetarë.

2018 ishte viti kur nisi procesi i akreditimit dhe rankimimit të institucioneve shëndetësore për të çuar shërbimin shëndetësor në një nivel të ri që ofron cilësi dhe garanci për qytetarët.

/z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.