Margariti: Monumentet dhe sitet historike me pasaporta të mirëfillta dixhitale, vizitorët tejkaluan shifrën 1 milion

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Historike, një ditë e projektuar për të shtuar vëmendjen mbi trashëgiminë historike dhe kulturore, i gjen edhe qytetarët shqiptarë më afër tyre. Ministrja e Kulturës Elva Margariti në një intervistë për ERTV-në nga mjediset e Mozaikut të Tiranës, theksoi se ministria që ajo drejton ka pasur pikërisht këtë qëllim: t’i afrojë qytetarët sa më afër monumenteve në çdo ditë të vitit.

E miratuar nga UNESCO, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Historike shoqërohet në të gjithë botën me aktivitete të larmishme. E tillë ka kaluar kjo ditë edhe në Shqipëri, ku ka pasur aktivitete në të gjitha drejtoritë rajonale dhe në të gjithë muzeumet, sitet arkeologjike ku hyrja ka qenë falas. “18 Prilli në të gjithë botën, përveç faktit që është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, çdo vit ka një tematikë të veçantë dhe dua ta theksoj tematikën e këtij viti që është ajo e mbrojtjes së peizazheve rurale dhe kjo është vërtet një gjë për t’u çmuar konkretisht për Shqipërinë, pasi është një nga vlerat tona të shtuara. Kemi mundësinë për të treguar shumë nëpërmjet peizazhit si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe jam e kënaqur që këtë vit kemi mundësinë akoma dhe më tepër të kthejmë sytë drejt kësaj vlere të kombit tonë”, – tha Margariti.

Duke u ndalur tek Mozaiku i Tiranës, një nga simbolet e qytetit, Margariti tha se muajin tjetër do të fillojë projekti që tashmë është miratuar me një fond prej 800 mijë lekësh që do të bëjë të mundur të gjithë risistemimin e çatisë, të gjithë strukturës metalike dhe pjesën e ulluqeve, si horizontale, dhe vertikale dhe sistemit të drenazhit që është i nevojshëm për mbrojtjen nga shiu. Ministria e Kulturës ka ecur me programe të cilat janë shtrirë në një kalendar kohor.

Margariti cilësoi si një nga pikat e forta të Ministrisë, programin e Edukimit përmes Kulturës, me gjithë skepticizmin që pati në fillim. “Programi vërtet solli një ndërgjegjësim, sidomos në brezat e rinj, sidomos në të vegjlit. Një nga projektet e këtij programi është edhe miku i monumenteve, një program ku ftohen shkolla 9-vjeçare dhe shkolla të mesme për tu bashkuar dhe për të përqafuar monumentet me një kujdes të veçantë, për t’u përkujdesur, për të zhvilluar aktivitete kulturore me këto monumente”, – tha ministrja e Kulturës.

Ministrja foli edhe për regjistrin e plotë të monumenteve, ku tha se ka qenë një punë e gjatë, e cila ka filluar në 2014 dhe ka zgjatur më shumë se një vit.

“Dokumentimi vazhdon, pasi ka gjithmonë nevojë për përditësime, por për herë të parë janë krijuar pasaporta të mirëfillta dhe dixhitale të monumenteve tona. Këto të dhëna mbi monumentet i kemi patur materiale të copëzuara: edhe të shpërndara, edhe në arkiva të ndryshëm dhe për herë të parë është bërë e mundur që këto të dhëna mund të kalojnë edhe në një platformë GIS”, – theksoi Margariti.

Ministrja theksoi se kultura është motor zhvillimi ekonomik dhe kjo është treguar në vitet e fundit duke rijetësuar monumentet. Kanë qenë jo të pakta rastet, sipas saj, të këtij rijetësimi.

“Mjafton të përmendim Qafën e Pazarit të Gjirokastrës, Pazarin e Korçës, muzetë e shumtë të cilët kanë lindur. Këto kanë treguar që sot trashëgimia kulturore mund të vishet me aktivitete ekonomike, pra e gjitha të kthehet në motor zhvillimi dhe numrat flasin shumë qartë. Vetëm vizitorët, pra turistët e vitit të kaluar kanë qenë rreth 1 milion. Kemi arritur që të kemi një 4-fishim të vizitorëve të huaj. Kemi arritur që të trefishojmë të ardhurat vetëm në 2018, kjo falë një programi më largpamës që shkon më tej restaurimit”, – theksoi ministrja.

Ajo e vuri theksin edhe tek shtëpitë e vjetra Monument Kulture për të cilat ka pasur vëmendje nga Ministra e Kulturës.

“Kjo ka qenë vërtet një nga pikat e nxehta se atje ku flasim për një monument kulture që bashkon dy partnerë që janë shteti dhe private, jo gjithmonë dialogu është i lehtë. Megjithatë tashmë dhe vetë banorët e shtëpive Monument Kulture kanë kuptuar që vlera e shtuar e tyre është restaurimi dhe kthimi i tyre jo vetëm në identitet të ri, por edhe në një funksion të ri. Kjo është bërë e mundur me mbështetjen e Institutit të Monumenteve i cili harton projektet e restaurimit, por shkon edhe më tej se kaq, pasi mbikëqyr gjithë procesin”, – tha ministrja Margariti.

Ministrja u ndal edhe tek programi i rrugëve e besimit, ku përmes tij reflektohet vëmendja e qeverisë shqiptare për objektet e kultit.

“Është një program që vazhdon dhe është një nga programet më të suksesshme për të cilin jemi krenarë. Mbi të gjitha pasi jemi një nga vendet unikale në rajon në të cilin arrihet të ndërthuret një larmishmëri e tillë, një bashkëjetesë kaq e paqtë, e cila pasqyrohet edhe në territor. Si pjesë e programit janë restauruar shumë kisha, xhami, teqe”, – përfundoi Margariti. /j.p/m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.