”Le Figaro”: Veliaj kryebashkiaku i ri që po shndërron Tiranën në qytet europian

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Gazeta e njohur franceze ‘’Le Figaro’’ i ka kushtuar një artikull të gjatë ndryshimeve rrënjësore në Tiranë. Sipas saj, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj po e shndërron Tiranën në qytet europian. 

Erion Veliaj e ka pothuajse të pamundur të bëjë 10 hapa në rrugët e Tiranës pa u ndaluar nga të rinj, sidomos vajza, por jo vetëm, të cilat i kërkojnë një ‘’selfie’’.

I veshur me xhinse dhe atlete, me një çantë në shpinë, kryetari i ri 38-vjeçar bën xhiron e tij të zakonshme në qytet dhe në çdo dyqan tregtarët e qerasin kush me ca ullinj Berati, kush me një qofte zgare apo me një gotë raki.

Kryetari i Bashkisë ecën ngadalë në çdo cep të sheshit ‘’Skënderbej’’, sheshi kryesor i Tiranës, që deri para pak kohësh ishte një rrethrrotullim gjigant i tejmbushur me makina.

Sheshi, i cili rrethohet nga Muzeu Kombëtar me mozaikun, në stilin klasik komunist, dhe nga Teatri i Operas dhe i Baletit, një tjetër dëshmi e arkitekturës komuniste, u është rikthyer tashmë këmbësorëve.

Gjatë verës uji rrjedh nga disa shatërvane dhe shpërndahet pothuajse në të gjithë sipërfaqen e tij dhe, sipas kryetarit të ri të Tiranës, ndikon në uljen deri me tetë gradë Celsius të temperaturës.

Erion Veliaj bën pjesë në brezin e shqiptarëve që ishin ende fëmijë gjatë rënies së diktaturës komuniste (1944-1991).

Themeluesi i regjimit komunist, Enver Hoxha, mishëronte versionin europian të diktatorit koreanoverior, Kim Il Sung.

I diplomuar në universitetet e Britanisë dhe Amerikës, kryetari i Bashkisë së Tiranës rrethohet nga një staf i ri, brilant dhe entuziast, që flet disa gjuhë të huaja. Ekipi i tij gëlon nga ide të reja për ta shndërruar qytetin e një milion banorëve – një e treta e Shqipërisë – në një qytet modern dhe të këndshëm për të jetuar.

Kështu, ai shndërroi Pazarin e Ri nga një zonë e rrënuar dhe e ndotur, në një treg tradicional, ku gjen kafene nga më modernet.

Po ashtu, ai bindi kompanitë më të mëdha të vendit të financojnë rinovimin e kopshteve të fëmijëve, të cilat ishin në gjendje të mjerueshme.

Bashkëpunimi me Veronën

Kryetari i Tiranës ka nisur një revolucion të vërtetë duke krijuar parkime me pagesë në të gjithë qytetin. Kundrejt pagesës (100 lekë), shoferi merr një SMS ku informohet se pagesa që ka kryer me telefon do të financojë mbjelljen e një peme në pyllin orbital që do të rrethojë kryeqytetin.

Gjithnjë në ndjekje të shembujve më të mirë të qyteteve të huaja, Erion Veliaj ka krijuar një binjakëzim me Bashkinë e Veronës, me qëllim administrimin e mbetjeve urbane. Qytetarët e Tiranës mund të sinjalizojnë mosgrumbullimin e tyre në aplikacionin ‘Tirana Ime’, i cili ofron akses në kohë reale edhe në kamerat që monitorojnë trafikun e qytetit.

I riu i zgjedhur si Kryetar Bashkie në vitin 2015, ndjek hapat e mentorit të tij, Kryeministrit aktual Edi Rama, i cili fillimisht si Ministër Kulture dhe më pas si Kryetar Bashkie, ndërmori një transformim thelbësor të kryeqytetit.

Tirana, qytet i konceptuar nga arkitektët e Musolinit gjatë pushtimit italian në vitet ‘30, pësoi ndryshime të mëdha me rënien e komunizmit.

Gjatë fillim viteve ‘90, për shkak edhe të eksodit rural, u ndërtuan shumë godina, jo vetëm me stilin e vjetër, por edhe të paligjshme.

Megjithë mungesën e burimeve financiare, Kryetari energjik i Bashkisë së Tiranës, avancon duke praktikuar metodën e ‘‘akupunkturës’’.

 “Duhen ndërhyrje në pikat nevralgjike, që ndikojnë në zhvillimin e  gjithë komunitetit”, shpjegon ai.

Megjithatë, një prej krenarive më të mëdha të Erion Veliajt mbetet bashkëjetesa në harmoni e komuniteteve fetare.

“Është e vështirë të gjenden kryeqytete në botë që në pak metra katrore të gjesh një xhami, një kishë ortodokse, një tempull apo bustin e papa Françeskut, i cili vizitoi Tiranën në vitin 2014””, shkruan gazeta e njohur franceze ”Le Figaro”./ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.