Kuvendi ratifikon marrëveshjen për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar me Kosovën

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Kuvendi i Shqipërisë miratoi gjatë seancës së ditës së enjte, një akt normativ, një projektligj dhe një projektvendim, ku gjatë fillimit të seancës Ruçi, bëri me dije krijimin e dy grupeve të reja parlamentare.

Grupi parlamentar “I pavarur” përbëhet nga Nimet Musaj, kryetar, Edlira Hyseni, zëvendëskryetare, Enver Roshi sekretar politik si dhe anëtarë Ediola Braha, Aurora Mara, Ralf Gjoni, Ylli Shehu. Ndërsa Grupi Parlamentar “Demokrat” përbëhet nga: Rudina Hajdari, kryetare si dhe anëtarët Myslym Murrizi, Korab Lita, Arlind Çaçani, Halil Jakimi, Arben Elezi, Alban Zeneli.

Me pas, seanca vijoi me Interpelancën me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës.

Në vijim në seancë, u paraqit raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2018-të, nga titullari i këtij institucioni Gentian Sala.

Më tej punimet e seancës vijuan me shqyrtimin e Aktit normativ “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)” e cila, më pas u votua me 89 vota pro.

Në vazhdim, sipas rendit të ditës, u kalua në shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, foli Mimi Kodheli, e cila bëri me dije se ky projekt është një prej projekteve të iniciuara në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të dy qeverive.

Ky projektligj, u votua me 89 vota pro.

Seanca vijoi me shqyrtimin e projektvendimit “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektvendim është pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi. Më pas u kalua në votim, ku projektvendimi u miratua me 86 vota pro.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.