Kryesia e PD-së: Regjistrohemi në zgjedhje kur të krijohen kushtet për zgjedhje të lira

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Kryesia e Partisë Demokratike vendosi sot t’i propozojë Këshillit Kombëtar që Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas Kryesisë së PD, kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas vendimit të Kryesisë, është provuar se qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

Po ashtu Kryesia e PD vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar që Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Kryesia i kërkon gjithashtu Këshillit Kombëtar që të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e qeverisë tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.