FOTO/ Sarandë, mbërrin kroçera e parë me 2360 turistë

TIRANË, 18 prill/ATSH-Klotilda Saraçini/- Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon dhe e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare, u vizitua sot nga rreth 2360 turistë të huaj.

Drejtoresha e Portit të Sarandës, Kozeta Statha, tha për ATSH-në se “turistët nga Italia, Gjermania, Franca, etj., mbërritën në orën 13:00 në portin e Sarandës me kroçerën “Msc Lirica”.

“Në itinerarin e tyre turistët kanë vizita në pikat turistike të qytetit. Guida e tyre disaorëshe përfshin qytetin antik të Butrintit, si destinacion të parë, Syrin e Kaltër, si dhe Himarën”, – u shpreh Statha.

Sipas saj, kjo kroçerë do të zhvillojë udhëtime të përjavshme në Sarandë përgjatë gjithë sezonit turistik.

“Qyteti i Sarandës ka filluar që muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët pritet të kenë një fluk të shtuar gjatë pikut të sezonit turistik”, – tha ajo.

Turistët u pritën edhe nga Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, të cilët i shoqëruan turistët edhe në pikat turistike të qytetit bregdetar.

Një pjesë e mirë e turistëve vizituan Sarandën duke blerë edhe suvenire nga artizanët e qytetit bregdetar, që ofrojnë  produktet e tyre përgjatë shëtitores së Sarandës.

Punonjësit e kroçerës “Msc Lirica” shprehën vlerësimet maksimale për shërbimin dhe performancën e institucionit duke ofruar shërbim të lartë për turistët.

Ata theksuan se në fund të çdo vizite do të dërgojnë zyrtarisht përshtypjet e turistëve për të bërë të mundur përmirësimin e shërbimit në funksion të turizmit.

Qyteti i Sarandës, që e ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal.

Saranda është klasifikuar në krye të 21 destinacioneve për t’u vizituar për vitin 2018 nga National Geographic.

Plazhi i Pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një manastir, plazhi i Pasqyrave, i Ksamilit, etj., ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.