FOTO/ Fletëpalosje informuese rreth monumenteve të Beratit

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve vjen këtë vit nën sloganin “Peizazhet Rurale”, dhe në kuadër të kësaj teme në çdo sit arkeologjik dhe parqe në vendin tonë u zhvilluan aktivitete të ndryshme ku fokus janë ndërthurja e peizazheve rurale me objekte të trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të kësaj dite, DRKK Berat ka realizuar edhe disa fletëpalosje informuese rreth disa monumenteve në qarkun e Beratit.

Gjithashtu DRKK Berat zhvilloi dhe aktivitetin ”Peizazh dhe Trashëgimi” në mjediset e kishës së Sinjës me nxënësit e shkollës ”Jani Dodi”. Të rinjtë u njohën me vlerat historike, arkitektonike por edhe artistike për pikturën murale të saj. Gjatë takimit diskutuam nevojën e ruajtjes së peizazheve dhe lidhjes së saj me trashëgiminë dhe shoqërinë.

Kisha e ”Shën Mërisë” në fshatin Sinjë të Beratit është e ndërtuar në faqen shkëmbore të malit të Shpiragut.

Kjo kishë mendohet të jetë ndërtuar në shekujt XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.