Foto/ “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, Shahini: Pozitive edhe për komunitetin

TIRANË, 18 prill/ATSH/- Prej gati një viti, në katër shkollat e kryeqytetit po vihet në zbatim projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” ku nxënësve nga mosha 6-15 vjeç u ofrohet ushqim dhe kujdes deri në orën 17:00 pasdite.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka vizituar shkollën “Ramazan Jarani” në Tiranë, për të ndjekur nga afër zbatimin e programit “Bëjmë detyrat e shtëpisë”.

Shahini ka thënë se programet shtesë që ofrohen pas mësimit për të gjithë nxënësit i kanë dhënë një frymë pozitive jo vetëm shkollës, por gjithë komunitetit.

Fëmijët pas procesit mësimor konsumojnë ushqimin, më pas zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Aktivitetet pas shkolle janë hartuar nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe kanë aktivitetet e dedikuara për të. Ndërkaq, për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi financohet 100% nga bashkia Tiranë.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.