Disiplina, FSHF nuk merr parasysh apelimin e “Tiranës” për Ngo

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e saj, ku vihet re se komisioni ndër të tjera nuk ka marrë parasysh apelimin e Tiranës për sulmuesin Ngo.

FSHF duket se kësaj radhe nuk ka dënuar asnjë klub të superligës. Sa i takon kategorive inferior vihet re se janë marrë vendime drastike. Lojtari i KF “Shënkolli”, Emirjon Mirdita, për dhunë ndaj kundërshtarit dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Lojtari i KF “Shënkolli”, Klaudjo Pjetrushi, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.

Zyrtari i KF “Besa”, Emiljano Bizhdili, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 8(tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. KF “Besa”, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe hedhje te sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes si dhe duke shkaktuar akte dhune, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zhvillimin e 8 (tetë) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës.

Lojtari i KF “Pogradeci”, Anteo Osmanllari, për goditje ndaj kundërshtarit, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.

Lojtari i KF “Tomorri”, Aldo Dervishi, për goditje ndaj kundërshtarit, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.