Dëmshpërblimi për banorët e “Unazës së Re”, Veliaj: 1 milion banorë s’mund të pengohen nga 10 militantë

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Ndërtimi i Unazës së Madhe në kryeqytet nuk do të ndalet. Garancia për këtë është dhënë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili përshëndeti vendimin e qeverisë për miratimin e fondit 10 milionë euro për shpronësimin e atyre që preken nga ky projekt. Veliaj nënvizon se pas parave të kompensimit, s’ka asnjë arsye pse 1 milion banorë duhet të pengohen nga 10 militantë të dhunshëm.

“Pas parave të kompensimit, s’ka asnjë arsye pse 1 milion banorë duhet të pengohen nga 10 militantë! Qytetin s’mund ta mbajnë më peng një grusht njerëzish të dhunshëm! Tirana nuk ndalet. Qeveria miraton fondin: 10 milionë euro dëmshpërblime për “Unazën””, shkruan Veliaj.

Me kryerjen e shpronësimeve bie edhe pengesa e fundit ligjore për nisjen e punimeve për rindërtimin e segmentit të unazës nga “Pallati me shigjeta”, te sheshi “Shqiponja”. Projekti i Unazës zgjidh problematikën e trafikut në kryeqytetit. Ky është një projekt që ka një rëndësi vitale për qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, duke siguruar me përfundimin e tij lëvizje të pandërprerë dhe pa ndalesa, një element që çdo qytetar që lëviz sot në këtë aks e ka dalluar vetë vonesën dhe kohën e humbur, karburantin e harxhuar e tymin e krijuar në këtë aks, i cili është ndër më të ngarkuarit.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.