Axhenda e bashkëveprimit me Kosovën, në krye të detyrave

TIRANË, 18 Prill /ATSH/ -Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh sot se më në fund, Shqipëria dhe Kosova pas kaq shumë vitesh, ka vetëm 1 pikë kalimi për të shkuar drejt një integrimi të mëtejshëm në shumë sektorë.

Balla gjithashtu theksoi se qeveria axhendën e bashkëveprimit me Kosovën e ka në krye të detyrave të veta.

“Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë muaj më parë me BE që të liberalizohet sistemi i vizave me Kosovën. BE nuk e ka mbajtur fjalën me Kosovën. Shqipëria ishte pjesë e atyre vendeve që i bënë thirrje Kosovës që të ratifikonte marrëveshjet kufitare me Malin e Zi përpara se të lehtësohej sistemi i kalimit pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Kosova e bëri detyrën e vet. BE nuk e ka mbajtur fjalën e vet. Dhe sot jemi në një situatë që në Ballkan kemi vetëm një ishull që është republika e Pavarur e Kosovës, qytetarët e së cilës, ndryshe nga të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ende nuk lëvizin lirshëm në vendet e BE”, tha Balla.

Sigurisht, theksoi ai, “që ne, Shqipëria, duhet të vijojmë të gjitha përpjekjet tona diplomatike me të gjitha kanalet tona të komunikimit për të mbështetur këtë proces, ndërkohë që besoj edhe ju deputetë të opozitës duhet ta mbështesni këtë pr/ligj të ardhur sot nga qeveria dhe që më në fund pas shumë vitesh ne kemi vetëm një pikë kontrolli kufitar në kufirin mes Kosovës”.

Pra, shtoi ai, “nuk ka nevojë të kalosh njëherë tek Policia e Shqipërisë pastaj të kalosh tek Policia e Kosovës por një pikë kalimi për të shkuar në një integrim edhe të mëtejshëm në shumë sektorë duhet ta themi me krenari , kjo është qeveria e parë që pas shumë vitesh axhendën e bashkëveprimit me Kosovën e ka në krye të detyrave të veta. Jo vetëm që lehtësohet qarkullimi i shtetasve. Jo vetëm që kontrolli dhe verifikimi kufitar kryhet në mënyrë të përbashkët për të minimizuar kohën e përpunimit. Janë qindra mijëra shqiptarët e Kosovës që vijnë në Shqipëri për verë dhe jo vetëm por jemi edhe ne qindra mijëra të tjerë, të cilët jemi shumë të lidhur me Kosovën, që sigurisht asgjë s’mund të na ndajë sepse në fund të fundit na bashkon një komb, një gjak, një flamur”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.