Allegri? Zbulohen kontakte mes “Juventusit” dhe Contes

TIRANË, 18 prill/ATSH/- Qëndrimi Massimiliano Allegrit te “Juventus” nuk është i sigurtë. Pavarësisht deklaratave të teknikut të “Zonjës së Vjetër”, që pas eleminimit të martën në mbrëmje nga “Ajax”, nënvizoi se do qëndronte te bardhzinjtë, sipas një artikulli të publikuar të enjten në “Tuttosport” bëhet me dije se drejtuesit e klubit po shohin edhe për alternative për stolin.

Gazeta “Tuttosport”, një medium torinez, që është shumë pranë bardhezinjëve, bënë të ditur se, në përfundim të takimit ka pasur një takim mes Allegrit dhe drejtuesve të klubit. Andra Angelli, Presidenti “Juventusit” është shprehur se vullneti për të vijar me Allegrin edhe për sezonin e ardhshëm mbetet i madh. Edhe pse më tej ai nënvizon se si President i një klubi kërkon gjithnjë të fitoi, madje edhe më shumë kur investimet janë të mëdha. Allegri po ashtu nuk mbështetet më nga tifozët, të cilët prisnin kalimin e turnit me “Ajax” dhe ndaj teknikut kanë thurur mjaft kritika.

Situata pra është delikate dhe këtij moment i shtohet dhe një bisedë mes disa prej drejtuesve të “Juventusit” dhe Antonio Contes. Ish-tekniku i “Chelseat”, “Italisë”, por edhe “Juventusit kampion të viteve 2010-2014, aktualisht pa punë, duket se ka ngritur pista të reja për të ardhmen e “Juventusit”. Gjithsesi, “Tuttosport” thekson se duhet pritur fundi i sezonit për të pasur qartësi mbi të ardhmen e stolit bardhezi. “Juventus” është duke ecur me ritme të shpejta drejt titullit të tetë kampion radhazi në “Seria A” dhe të 35-in në histori. Antonio Conte ka qenë tekniku që arriti ta shpall “Juventusin” kampion për herë të parë në serinë e tetë kampionateve radhazi, në sezonin 2010-2011, dhe që prej asaj kohe bardhezinjtë janë mbretër në Itali. Këtë sezon “Zonjës së Vjetër” i duhet vetëm një pikë për të mbyllur llogaritë, ndërsa në total, “Juventus” edhe pse me Cristiano Ronaldon, në krahasim me katër vitet e fundit ka rezultuar më pak efikase, duke fituar vetëm titullin kampion, ndëra është eliminuar dhe nga kupa e Italisë, por dhe nga Liga e Kampionëve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.