810 gra kryen mamografinë falas në tre muajt e parë të 2019

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Falë mamografëve të lëvizshëm 810 gra kanë marrë shërbimin afër vendbanimit të tyre në vetëm 3 muajt e parë të 2019-ës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila bëri më dije po ashtu se, ndalesa e radhës e mamografisë së lëvizshme ishte në Sarandë.

Ajo i ka bërë apel të gjithë grave për të mos neglizhuar kryerjen e mamografive. “Koha më e mirë për të kryer mamografinë është TANI! Mos e neglizho kontrollin e gjirit! Në poliklinika, spitale dhe me mamografët e lëvizshëm, shërbimi i mamografisë ofrohet falas, gjatë gjithë vitit. Ndalesa e radhës e mamografit të lëvizshëm ishte Saranda. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2019, vetëm me mamografët e lëvizshëm e kanë marrë shërbimin afër vendbanimit 810 gra”, ka thënë ajo.

Parandalimi i sëmundjeve përbën një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019. k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.