Zonat e Mbrojtura, jo më nën invazionin e industrisë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Hapat e rëndësishëm të ndërmarrë deri tani drejt menaxhimit të zonave të mbrojtura ishin sot në fokus të diskutimeve gjatë aktiviteti përmbyllës të projektit NaturAl.

Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Në aktivitet gjithashtu u diskutua dhe për nevojat për mbështetje financiare në vazhdim jo vetëm për menaxhimin, por edhe drejt shpalljes së rrjetit Natura 2000 në Shqipëri.

“Viti 2019 për Agjencinë e Zonave të Mbrojtura ka një detyrë të paraqesin një pasaportë reale se përse është zonë e mbrojtur, cilat janë arsyet që ajo pasqyron një potencial ekonomik dhe vlerë. Kjo do bëhet për t’u mbyllur përfundimisht ky evazion dhe agresivitet ndaj këtyre zonave qoftë me HEC-e, guroret dhe me industri të tjera, të cilat nuk kanë më vend në këto pjesë që janë zona të mbrojtura”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet.

“Sot është fakt Mali i Tomorrit është shpallur zonë e mbrojtur dhe aty nuk ka më gurore. Beteja e Malit të Krujës është një betejë 30-vjeçare ku një vit më parë e shpallëm zonë të mbrojtur dhe sot arritëm të eliminojmë të gjitha guroret dhe gropat e gëlqeres. Shpallëm gjithashtu revokimin e lejeve mjedisore, shpallëm revokimin e lejeve minerare dhe që nga ky moment fillon rehabilitimi i Malit të Krujës”, u shpreh Klosi.

Ai përfundoi se, “këto zona të mbrojtura nuk do jenë më nën invazionin dhe agresivitetin e industrisë. Projektet e Bashkimit Europian kanë synimin që këto zona t’i pasqyrojnë siç duhet në pasuri kombëtare, europiane për sa i përket natyrës”. /a.a/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.