Voda: Vendimi i parlamentit holandez, çështje e brendshme e tyre

TIRANË, 17 prill/ATSH/- Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklaroi sot se “vendosja e regjimit të vizave nga Holanda besoj se është çështje e brendshme”.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse Holanda ka sjellë një komunikim apo raport për shqiptarët që janë atje të inkriminuar, Voda u shpreh se “jo, madje në vizitën e fundit deklarata për shtyp e ministrit për Drejtësinë dhe Sigurinë e Holandës, Ferdinand Grapperhaus ka qenë shumë pozitive. Por edhe ministri për Migracionin, Mark Harbers ka shprehur vlerësime shumë të mëdha për bashkëpunimin me Shqipërinë”, – theksoi Voda.

Zv/ministrja Voda shprehu besimin se kjo është një çështje që nuk do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë.

Po ashtu, zv/ministrja Voda tha se “shifrat e fundit kanë treguar që në vendin tonë kriminaliteti është në ulje, po ashtu edhe numri i azilkërkuesve”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.